Nga Qerreti drejt Durrësit për të shitur kanabis, arrestohen tre persona. Dy prej tyre të dënuar në Itali

Tre persona të cilët u kapën duke transportuar kanabis me një automjet janë arrestuar nga policia e Durrësit.

Sipas njoftimit të bluve, të tre të arrestuarit janë me precedentë kriminalë dhe 2 prej tyre janë të dënuar në Itali për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Policia njofton se u arrestuan M. B., 35 vjeç, banues në Qerret, i dënuar më parë në Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”; M. B., 55 vjeç, banues në Qerret, i dënuar më parë në Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe P. L., 57 vjeç, banues në Jubë, i dënuar më parë për vjedhje.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë në fshatin Qerret, Durrës, duke transportuar me automjet, rreth 7 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me qëllim shitjen në qytetin e Durrësit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe tre aparate celulare.

Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.