Fati i OFL-së në Kushtetuese, Visha: Është antikushtetues, s`kishte urgjencë dhe vakum ligjor
Gjykata më e lartë në vend pritet të dalë me një vendim nëse do ta cilësojë apo jo si antikushtetues aktin normativ të qeverisë për Operacionin Forca e Ligjit. Avokati, Ardian Visha, i cili kërkoi në Gjykatën Kushtetuese anulimin e aktit, tha se Qeveria nuk mund të bënte një akt të tillë pasi nuk kishte urgjencë dhe as vakum ligjor. Për më tepër ai tha se OFL-ja i dha drejtorit të Policisë kompetenca që nuk i takojnë.
Akti normativi i qeverisë me fuqinë e ligjit, për sekuestrimin e pasurive të personave te dënuar për një kategori veprash penale, i njohur ndryshe edhe si OFL, nuk kishte urgjencë dhe për më tepër i është mbivendosur një tjetër ligji siç është ai i Antimafias.
Kjo ishte një nga argumentet kryesore të avokatit, Ardian Visha, në seancën që u zhvillua të martën në Gjykatën Kushtetuese, ku është kërkuar shfuqizimi si antikushtetues i këtij ligji që u zbatua nga fundi u janarit deri në 31 dhjetor 2020.
Avokati Visha e vuri në lëvizje këtë gjykatë me një kërkesë të subjektit të parë të këtij ligji, siç ishte Edlir Hyseni, të cilit OFL i kishte sekuestruar një automjet që përdorej nga babai i tij.
Hyseni ishte proceduar nga policia në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, pasi vëllai ishte proceduar në Gjermani për trafik të lëndëve narkotike.
Krahas vendimit që e kishte lënë në fuqi deri në Gjykatën e Lartë konfiskimin e automjetit Hyseni së bashku me avokatin e tij, kanë kërkuar edhe shfuqizimin e aktit normativ i cili vazhdon ende të japë efekte pavarësisht se periudha e veprimit ishte parashikuar vetëm për 1 vit.
Një tjetër argument, i cili u cilësua antikushtetues nga kërkuesi ishte edhe shfuqizimi i rolit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në këtë ligj, i cili sipas avokatit është i pamerituar.
Avokati theksoi faktin se statistikat tregojnë se akti nuk pati sukses pasi pjesa më e madhe e pasurive të sekuestruara nga policia janë liruar nga gjykata.
Të konfiskuara nga OFL kanë mbetur vetëm disa automjete dhe për më tepër ky proces ka mbingarkuar Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.
Por nga ana tjetër përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Elira Kokona, e cila ishte edhe një nga hartuesit e aktit normativ, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e legjitimojë subjektin si palë që mund të ankimojë aktin normativ.
Sa i takon urgjencës, Kryeministria u shpreh se në kohën e aktit normativ SPAK nuk ishte krijuar ende, ndërsa ligji Antimafia sipas tyre ka mangësi dhe nuk i prek të gjitha subjektet që përfshiheshin te akti normativ.
Ata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e kërkesës.
