"Pas 10 milionë edhe 33 milionë të tjera gjobë për hakmarrje", Manja çon në Prokurori drejtoreshën e tatimeve Durrës

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë me dije se punonjës të institucioneve shtetërore janë denoncuar për shkelje të ligjit.

Manja tha se është denoncuar drejtoresha e tatimeve në Durrës, përgjegjësi i Sektorit dhe Inspektori pasi janë hakmarrë ndaj një subjekti në Qerret dhe e kanë gjobitur nga zyra me fillimisht me 10 mln lekë, dhe më pas me 33 mln të tjera.

Manja tha se subjekti u ankua në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas verifikimeve rezultoi se këta 3 shtetas kanë abuzuar me pozicionin e besuar nga shteti.

Mannja: Rasti i fundit që kam menduar të ndaj me ju sot I përket Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Kemi rekomanduar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën Rajonale të Tatimeve Durrës D.T, Përgjegjësin e Sektorit D.XH dhe inspektorin B.L. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë gjobitur pa kontroll fizik, pra nga zyra, me një shumë 10 milionë lekësh një subjekt në Qerret. Subjekti, me të drejtë, pas këtij veprimi ka kërkuar të drejtën e tij duke u ankuar edhe në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Pasi specialistët tanë kanë nisur verifikimet, nga tre të lartpërmendurit ka mbërritur ajo që unë po e quaj hakmarrje ndaj subjektit; sërish pa asnjë kontroll fizik, nga zyra, i kanë vënë një tjetër gjobë prej 33 milionë lekësh. Një abuzim i pastër, arrogant madje me pozicionin e besuar nga shteti për t’i shërbyer qytetarëve.