Kishte përshtatur lokalin për ushtrimin e lojërave të fatit, pranga pronarit në Elbasan
Pronari i një lokali në Elbasan i cili kishte vendosur ambientet në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit është arrestuar.
Policia ka bërë procedimin penal edhe të 10 shtetasve të cilët ishin klientë në lokal.
Blutë bëjnë me dije se u arrestua A. P., 57 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, Elbasan, pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit V. T., D. S., M. G., Sh. H., P. B., S. D., A. B., K. C., B. K. dhe B. L., klientë në lokalin e shtetasit A. P., të cilët u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, çipsa, zare, letra bixhozi, lekë dhe sende të tjera.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
