Dimri nuk ka mbaruar, rikthehen problematikat nga reshjet e dëborës dhe ngricat

Reshjet e dëborës dhe ngricat që kanë përfshirë një pjesë të vendit tregojnë se dimri ende nuk ka mbaruar.  Fshatra malore u izoluan, ndërsa stuhia ka shkaktuar probleme të mëdha me energjinë elektrike nga jugu në veri.

Reshjet e dëborës rikthyen problematikat dhe vështirësitë në veri e juglindje.

Trashësia e dëborës varion nga 10 cm në qytete dhe mbi 25 në zonat malore, ndërsa termometri ka zbritur nën zero.

Panariti në Korçë, e Mokra në Pogradec u izoluan të parat.

Drejt Njësive Dardhas, Trebinjë, Proptisht, Velçan, Çerravë  udhëtohet vetëm me zinxhirë.

Probleme u shfaqën edhe në furnizimin me energji elektrike, ku të paktën 10 fshatra në Pogradec  mbetën pa drita.

Akset kombëtare të juglindjes janë të qarkullueshëm normalisht, por në Qafën e Qarrit, Qafë Plloçë dhe Grabovicë qarkullimi është i vështirë për shkak të ngricës.

Reshjet intensive gjatë natës bllokuan sërish rrugën e Abrit.

Këtë të martë aksi është i kalueshëm me zinxhirë pranë By Passit të Murrizit.

Problematikë në Dibër shfaqet në fshatra ku shumë prej tyre kanë mungesë të energjisë elektrike.

Në shumë akse rrugore në Kukës për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe  pranisë së dëborë, policia apeloi që të shmangeshin lëvizjet e panevojshme.

Gjithashtu në Kukës, Has e Tropojë janë dhjetëra fshatra pa energji elektrike.

Dimri nuk ka mbaruar, rikthehen problematikat nga reshjet e dëborës