Ish-ministri Tahiri takon familjarët te 313, avokati: Me kurajo, nuk i lëviz qerpiku

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pasur sot takimin e parë me familjarët në ambjentet e burgut 313, tre ditë pas arrestimit të tij.

Lajmin e konfirmoi avokati i tij Maks Haxhia në emisionin "Opinion".

Haxhia: Unë sot në mëngjes pata takim tek burgu 313. Është në dhomë më  vete, në gjendje shpirtërore shumë të mirë me kurajo dhe është i ndërgjegjshëm për pafajësinë. Në burg do të qëndrojë me persona të tjerë. Shteti do të marrë të gjitha masat dhe ai është një njeri që nuk i lëviz qerpiku. Sot pati takim me familjarët.

Tahiri do të vuajë 3.4 vite burg, dënim ky që ju dha nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 4 shkurt.

Por avokati thotë se trupa gjykuese nuk ka dhënë një vendim me vullnetin e saj ndaj çështjes së klientit të tij, duke pretenduar se ndaj trupës gjykuese ka patur ndërhyrje, por nuk zbuloi nga kush.

Haxhia: Për mua ka ndodhur diçka në momentin që ata janë mbledhur në dhomën e këshillimit për të marr vendimin. Nuk jam profeti apo symadhi që të shoh se çfarë ndodhi. Maksimumi ne prisnim për një oportunitet vendimin e shkallës së parë. Por unë e kam të provuar. Ata që ndikuan i dolën së keqes përpara sepse e panë si do të ishte perspektiva e kësaj çështjeje në gjykatën e lartë. Unë sjell argumentat që ky trup gjykues nuk ka shprehur vullnetin që i takon.

Haxhia paralajmëroi rekurs të vendimit.