Stuhi bore në Kukës, policia zbarkon në rrugë, ja 4 akset ku ka rënie gurësh
Moti i keq me erë dhe reshje dëbore si dhe rrëshqitja e gurëve në rrugë, ka detyruar policinë e Kukësit të rrisë prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve.
Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbatjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora.
Policia evidenton 4 akse problematike ku këshillohet të shmangen levizjet e panevojshme.
- Aksi rrugor Kukës- Has, i përfshirë nga rreshjet e dëborës dhe rënie gurësh.
-Aksi rrugor Kukës-Shishtavec, ka rënie gurësh dhe erëra të forta.
-Aksi rrugor Fushë Dukagjin-Qafë Shllak, është hapur njëra korsi, po punohet për hapjen e korsisë tjetër.
-Aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, i përfshirë nga reshjet e dëborës dhe rënie gurësh.
DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Reshje të dendura bore ka edhe në rrugën Kukës-Shishtavec ku firma mirëmbajtëse po bën hedhjen e kripës dhe rruga është e kalueshme pa probleme.
