Meta padi në Prokurori për falsifikim dokumentesh, pse po hesht Kuvendi për çështjen e Presidentit?
Brenda 30 ditëve, Gjykata Kushtetuese do të vendosë fatin e Ilir Metës për postin e tij në Krye të Shtetit.
Ndërkohë në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë reagim as nga mazhoranca dhe as nga Kuvendi që votoi për shkarkimin e kreut të shtetit.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, gazetarja Fjorela Beleshi, ajo tha se është e paprecedent që Kuvendi po hesht në një kohë që Meta e ka akuzuar për manipulim dokumentesh.
Fjorela Beleshi: Kur i leverdis PS gjithmonë hesht. Rama anatemon gjyqtarë kur i dalin kundër projektet të qeverisë, ndërkohë kur është një çështje mjaft sensitive si ajo e shkarkimit të Metës, PS po hesht. Është një rast i paprecedent kur Meta ka akuzuar dhe do të çojë në Prokurori Kuvendin dhe deri më tani Kuvendi nuk ka asnjë reagim për këtë akuzë të drejtpërdrejt të bërë. Kam kërkuar informacion për këtë çështje por deri më tani nuk ka asnjë reagim.
Ndër të tjera ajo tha se Meta po kërkon të përfitojë sa më shumë kohë nga ky proces.
Fjorela Beleshi: Meta po mbrohet me procedurë. Ajo se çfarë mendoj është se Presidenti po kërkon kohë, po kërkon ta shtyjë sa më shumë. Po kërkon të përfitojë sa më shumë kohë nga ky proces.
