“Farma Net Albania” furnizoi burgjet me medikamente me përbërës kancerogjenë

Auditimi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Burgjeve zbuloi një sërë shkeljesh në tenderat e ilaçeve. Një nga problematikat e konstatuara lidhej me praninë e medikamentit Ranitidinë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit bën me dije se furnizimi i spitalit të burgjeve me ilaçin Ranitidinë, i cili është i ndaluar për përdorim nga Agjencia Kombëtare e Barnave, është bërë nga kompania farmaceutike ‘Farma Net Albania’.

Skandali thellohet më tej pasi ku medikament jo vetëm që nuk është tërhequr nga tregu nga Farma Net, por mbi 5 mije doza me vlerë 62 340 lekë rezulton se i janë shpërndarë të burgosurve duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Sipas dokumenteve kompani është fituese e tenderit të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me objekt  ‘Blerje medikamente për të dënuarit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale’.

Për këtë procedurë u vendosën në dispozicion 57.8 milionë lekë dhe kompania Farma Net Albania në pronësi të Sokol Topçiut u shpall fituese me ofertën 48.9 milionë lekë të reja. Ky i fundit është arrestuar në kuadër të një hetimi për kontrabandë ilaçesh, së bashku me persona të tjerë.

Auditimi i KLSH ka zbuluar se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe kompania ‘Farma Net Albania’ nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të tërhequr ilaçin Ratinidinë nga institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri pavarësisht njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Barnave, se ky medikament ka elemente kancerogjenë.