Kanosi me armë gjahu gruan e tij, në pranga 35-vjeçari në Shkodër

Një 35-vjeçar në Shkodër është arrestuar pasi ka kanosur me armë gjahu dhe ka përdorur dhunë fizike ndaj gruas së tij.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi K. K., 35 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
 
Arrestimi i tij u bë pasi gruaja e tij B. K., 32 vjeçe, ka telefonuar blutë se bashkëshorti i saj po ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe e kishte kanosur me armë gjahu.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vlerësuar situatën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti dhe duke arrestuar në flagrancë bashkëshortin e shtetases B. K.”- njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte me fishekë në fole, me të cilën 35-vjeçari kishte kanosur bashkëshorten, si dhe një sasi fishekësh arme gjahu.

 
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja“ dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.