Tragjedia në Fier, 3-vjeçari dyshohet se u mbyt aksidentalisht me kapuçin e xhupit, çfarë deklaroi edukatorja
Një fëmijë vetëm 3-vjeç ndërroi jetë në mënyrë tragjike brenda ambienteve të kopshtit privat që frekuentonte në Fier.
Ka qenë ora 13:00 kur ai po përgatitej të kthehej në shtëpi.
Fëmija ka tentuar të marrë çantën nga varësja e rrobave, por ka ngecur aty kapuçi i xhupit që mbante veshur.
Aty 3-vjeçari besohet se është rrëzuar dhe është mbytur, ndërsa dyshohet se ka qenë jashtë vëmendjes së stafit të kopshtit privat.
Burimet thonë se i mituri u gjet i shtrirë nga një edukatore, e cila sipas dëshmisë ka dyshuar për gjendje të fikti.
Pasi ka tentuar ti japë ndihmën e parë, stafi i kopshtit privat e ka dërguar fëmijën në Spitalin e Fierit, ku ai ka mbërritur pa jetë.
Daja i të miturit thotë se ishte mjeku që ndoqi rastin që njoftoi se i mituri shkoi në spital i vdekur dhe me një shenjë në fyt.
“E dërguam në mëngjes djalin për ta mësuar dhe edukuar në kopësht kur na erdhi lajmi hajdeni se e keni keq.Takova doktorin dhe më tha se djali ka ardhur pa shenja jete. Djalin nuk e shpëtuam. Më tha kishte një shenjë në grykë. Duam drejtësi" thotë ai.
Trupi i pajetë i 3-vjeçarit u dërgua në morgun e spitalit ku iu nënshtrua autopsisë mjekoligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Policia e Fierit ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë brenda kopshtit privat, ndërkohë që stafi po merret në pyetje.

