Sokol Cikalleshi rinovon me Konyaspor: Premtoj gola dhe luftë në fushë

E ardhmja e Sokol Cikalleshit do të jetë ende në Turqi. Sulmuesi shqiptar sot zyrtarizoi rinovimin me ekipin e Konyaspor tek të ciët u transferua në verën e vitit 2020.

Me paraqitjet e tij dhe me golat sulmuesi kuqezi arriti të bindte të gjithë teksa sot bashkë me drejtuesit zyrtarizoi rinovimin deri në vitin 2024.

31-vjeçari u shpreh tepër i lumtur dhe i kënaqur për rinovimin me ekipin i cili këtë vit po lufton për titullin kampion mes të mëdhave në Turqi.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një familjeje të madhe si Koniaspor. Dua të falënderoj presidentin, drejtuesit dhe trajnerin tonë që kontribuan në realizimin e këtij rinovimi. Premtoj se do të luftoj në fushën e blertë deri sa të jem pjesë e skuadrës. Kemi arritur një sukses të mirë këtë sezon. Kjo nuk është padyshim një rastësi. Ne jemi këtu me një frymë ekipi. E rëndësishme është të qëndrojmë këtu tani e tutje. Ne kemi punuar shumë dhe do të vazhdojmë të punojmë. Jam i sigurt se do ta përfundojmë sezonin në një vend shumë të mirë. Jemi një familje e madhe. Dhe kjo lidhje do të vazhdojë deri në fund të sezonit dhe ne do të përfundojë sezonin në mënyrën më të mirë.”, u shpreh sulmuesi kuqezi në fjalën e tij.

Cikalleshi është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Konyaspor ku me 5 golat e shënuar deri tani ka ndihmuar ekipin të luftojë për pjesën e sipërme të renditjes./Ora News/.