Kërcënimi i fortë nga CIO: Futbolli përjashtohet nga Olimpiada me Botëror çdo dy vjet

Disa anëtarë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të cilët folën sot në Pekin me rastin e sesionit të 139/të të CIO, hodhën poshtë me forcë propozimin e FIFA-s dhe Gianni Infantinos, për organizimin e Botërorit çdo dy vjet në vend të formatit aktual katërvjeçar.

 

Teksa Infantino mungoi në këtë sesion në Pekin, Anëtarët e CIO-s i kërkuan atij të braktiste këtë sepse frekuenca dyvjeçare do të kishte një ndikim të fortë negativ në sportet e tjera. Në krye të kritikave ishte presidenti i Komiteteve Olimpike Kombëtare Afrikane, Mustapha Berraf.

“Kupa e Botës dyvjeçare do të krijonte dëme të pamatshme dhe do të rrezikonte sportin dhe në veçanti futbollin. Futbollistët nuk janë robotë dhe duhet të rikuperohen dhe të kalojnë kohë me të dashurit e tyre. Prandaj, kërkoj t'i jepet fund kësaj përpjekjeje që është e papajtueshme me vlerat tona olimpike”, tha anëtari i komitetit ekzekutiv algjerian në fjalën e tij.

Edhe kolegë të tjerë folën kundër një formati të ri të Kupës së Botës teksa “The Times” shkruan se vetë CIO po merr në konsideratë heqjen e futbollit nga sportet olimpike në rast se planet për një Kupë Bote çdo dy vjet do të konkretizohen. Madje në një reagim të këtij institucioni për Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028 thotë se ne do të vazhdojmë të "monitorojmë ndryshimin e kalendarit ndërkombëtar".

Një paralajmërim i fortë ky ndaj FIFA-s dhe Infantinos./Ora News/.