Durrës: Pallati 12 katësh në të njëjtën gjendje si në ditën e tërmetit
Më shumë se 2 vite pas tërmetit të 26 nëntorit, pallati 12 në Durrës ndodhet në të njëjtën gjendje si në ditën e tërmetit.
Të çarat në mure, e plasaritjet e mëdha janë dëshmi se Bashkia e Durrësit nuk ka vënë dorë në këtë pallat në lagjen 15.
Banorët e pallatit që jetojnë tanimë në shtëpi me qira, thonë se prej 2 vitesh nuk kanë asnjë përgjigje nga Bashkia se çfarë do të ndodhë me godinën.
"Ne prej tërmetit të 26 nëntorit dhe deri më sot rrimë përjashta. Kryetarja e bashkisë na tha do fillojë tani e pastaj" thotë një banore.
I shpallur si DS4 për shkallën e lartë të dëmeve, banorët thonë se institucioni i drejtuar nga Emirjana Sako nuk u ka dhënë kurrë përgjigje nëse godina do të shembet apo rikonstruktohet
"U bënë 3 vite e nuk kemi marrë asnjë përgjigje"
Janë rreth 60 familje të këtij pallati që jetojnë larg banesave të tyre prej mëngjesit tragjik të 26 nëntorit 2019.
