Thethi me stuhi dëbore, Vermoshi i bllokuar. Dhjetëra fshatra të izoluar e pa energji

Në Juglindje të vendit reshjet e dëborës kanë shkaktuar një sërë problematikash.

Fshatrat Shtyllë, Panarit dhe Grabockë të Korçës, janë të izoluar pasi dëbora në pikën e “Mashkullorës” ka arritur gati 2 metra.

Njësitë administrative të Gorës dhe Moglicës së bashku me fshatrat përreth janë gjithashtu të Izoluara nga reshjet e dendura.

7 shkolla në zonën e Mokrës janë mbyllur për shkak të dëborës, ndërsa rezultojnë të izoluara fshatrat e njësive Trebinjë, Velcan dhe Dardhas ku dëbora ka arritur gati 40 centimeta, ndërsa që të treja njësitë ka pasur mungesë të energjisë elektrike.

Në Kolonjë të bllokuara nga dëbora rezultojnë njësitë administrative Clirim, Novosele dhe disa fshatra në Leskovik. Ndërkohë që Novosela është edhe pa energji elektrike.

Situatë e vështirë paraqitet në njësinë e Mirasit dhe shumë fshatra të tjerë në Devoll.

Probleme janë shfaqur edhe në zonat e Veriut të vendit, teksa po punohet për hapjen e rrugës që të çon në Theth, stuhia e vështirëson këtë proces.

Zona e Vermoshit mbetet më problematikja, ku në rreth 200 familje po dërgohen ndihma ushqimore.

Kalimi në akset malore bëhet vetëm me goma dimërore.

Rreth 150 familje janë pa energji elektrike ne segmentin Lepushe-Vermosh.

Në bashkinë Pukë sipas informacioneve rrugët janë të hapura, edhe pse ka prezencë të ngricave. Ndërkohë në Dibër ngricat e mëdha kanë shkaktuar problem në qarkullim në shumicën e rrugëve atje.