Sarandë, kapet me 3 kg kanabis, 8.100 euro dhe 350 000 lekë, prangoset 29-vjeçari

Është finalizuar operacioni policor i koduar "Gjashta", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në Sarandë.

Në përfundim të këtij operacioni është arrestuar në flagrancë 1 shtetas që shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa në doza të vogla.

Po ashtu janë sekuestruar 3 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë e saj e ndarë në doza, si dhe 8.100 euro, 350.000 lekë të rinj, një automjet dhe një aparat celular.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike, në afërsi të shkollës në fshatin Gjashtë dhe në qytetin e Sarandës, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjashta". Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 29 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.” – bën me dije polcia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë,  për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".