Konfindustria e shqetësuar për PPP-të: Privati mori 58 mln € nga Rruga e Kombit, u tejkalua kontrata

Rruga e Kombit ka përfituar rreth 58 milionë euro për 4 vite vetëm nga tarifa e rrugës. Sipas Konfindustrisë, këto të dhëna tregojnë se ka një tejkalim të të ardhurave të  parashikuara në kontratën koncesionare. Për Gjergj Buxhukun cilësia e dobët e përgatitjes dhe zbatimit të kontratave koncensionare dhe PPP-ve ka pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.

Kontratat koncensionare janë rikthyer në qendër të vëmendjes së Konfindustrisë, e cila shprehet e shqetësuar për cilësinë e përgatitjes, nënshkrimit dhe zbatimit të tyre.

Një nga rastet e cituara në deklaratën e administratorit Gjergj Buxhuku është koncensioni i Rrugës së Kombit, i cili sipas Konfindustrisë është shembulli i qartë i cilësisë së ulët të planit të biznesit.

Sipas të dhënave zyrtare, ky koncensionar ka përfituar rreth 58 milionë euro të ardhura nga taksat e rrugës vetëm në  4 vitet e para të operimit. Nisur nga këto të dhëna rezulton se janë tejkaluar ndjeshëm të ardhurat e parashikuara në kontratën koncesionare.

Konfindustria bën me dije se vetëm në vitin e parë të operimit të ardhurat e koncesionarit janë tejkaluar me mbi 40% nga parashikimi fillestar.

Situata për koncensionarin e Rrugës së Kombit ka qenë e njëjtë edhe gjatë vitit 2020 ku patëm kufizime të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë.

Gjatë këtij viti Buxhuku ka konstatuar se të ardhurat e koncesionarit janë tejkaluar me mbi 12% të parashikimit në kontratën e lidhur.

Sipas Buxhukut, shmangie të mëdha financiare të kostove reale dhe shtesa të paparishikuara janë të pranishme edhe në kontratat e tjera koncesionare dhe Partneritete Private Publike në infrastrukturë, shëndetësi dhe shërbime.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se cilësia e dobët e këtyre kontratave koncensionare ka pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe ekonominë kombëtare.