Fshati në Shkodër pa ujë, banorët: Po na shemben tarracat nga pesha e depozitave

Banorët e Oblikës vetëm 10 minuta larg qytetit të Shkodrës, vuajnë për ujin e pijshëm.

Furnizimi bëhet vetëm 2 orë në ditë, por ka raste edhe kur uji nuk shkon fare. Zgjidhjen e kanë gjetur në instalimin e cisternave mbi pallate, që po rrezikojnë t’u shembin tarracat.

"Cistrena sepse uj ka vetëm një orë, një orë e gjysmë sa mbarohet rezervuari. Mbarohet rezervuari, s'ka ujë më. "

"Rrezikojmë shembjen e pallatit, sepse këto pallate nuk janë të reja. Por nuk kemi zgjedhje tjetër, nuk kemi çfarë të bëjmë, e vetmja arsye që i mbajmë është se uji i shtetit nuk vjen rregullisht. Vjen 2 orë në ditë ka raste që nuk vjen fare."

Në mungesë të një zgjidhje tjetër, janë pajtuar me këtë realitet dhe rrezikun që sjellin këto cisterna.

"Është e dëmshme e dimë, por kur nuk vjen uji i shtetit 24 orë, normal që duhet me i mbajë cisternat."

"Te rezervuari i ujit nuk ka as roje."

rreth 100 familje presin prej 30 vitesh zbatimin e një projekti nga bashkia Shkodër për tu krijuar kushtet që të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje, burimin e të cilit e kanë vetëm pak metra larg vendbanimit.

Ky bllok pallatesh i ndërtuar rreth 60 vite më parë, nuk ka njohur asnjë investim që prej kohës së sistemit komunist.