Operacioni i nxjerrjes së trupave zgjati 3 orë, detaje nga aksidenti tragjik në Librazhd që i mori jetën 3 personave
Muaji shkurt nisi me një aksident të rëndë në lumin Shkumbin, Librazhd që i mori jetën 3 personave, ndërsa 2 të tjerë u plagosën.
Mjeti tip "ML" ra në greminë në vendin e quajtur "Kthesa e Murashit" rreth orës 09:10 të ditës së sotme, 1 shkurt.
Mësohet se familja nga Kalisi i Kukësit po udhëtonin drejt Korçës.
Viktimë ka mbetur çifti i bashkëshortëve Elmi Keqa 52 vjeç dhe Elona Keqa, 34 vjeç. Gjithashtu mësohet se ka ndërruar jetë 18 vjeçari Elis Sulmataj.
Të plagosur janë shtetasit Elisiado Keqa rreth 10 vjeç, djali i çiftit që humbën jetën, dhe Ambra Halili rreth 20 vjeç.
Të plagosurit pasi janë nxjerrë nga mjeti janë transportuar fillimisht në spitalin e Librazhdit, por më pas janë nisur për mjekim të specializuar në Tiranë pasi gjendja e tyre është e rëndë.
Djali 10-vjeçar ka pasur dhe hemoragji të brendshme. Nuk konfirmohet nëse është jashtë rrezikut për jetën apo jo. Edhe për gjendjen e 20-vjeçares ende nuk ka informacione nëse është jashtë rrezikut për jetën.
Operacioni për nxjerrjen e trupave zgjati rreth 3 orë si pasojë e terrenit të vështirë.
U kërkua ndërhyrja nga 2 mjeteve tip fadroma që të bënin të mundur zhvendosjen e mjetit nga vendi ku kishte rënë, por ndërhyrja ishte tejet e vështirë për shkak të terrenit.
Trupin e njërit prej personave që ka ndërruar jetë e mori rrjedha e ujit me vete dhe u gjet pak metra më tutje.
Gazetarja Edisona Skënderi bën me dije se për shkak të reshjeve të shiut ka qenë i vështirë manovrimi për të shmangur goditjen me mjetin tjetër i cili vinte përballë.
Mendohet se ka qenë shpejtësia dhe lagështira në rrugë ajo që ka bërë që mjeti tip "ML" të përfundonte disa metra poshtë.
Mbetet për tu konfirmuar nga policia e Elbasanit, pasi nuk ka ende një komunikatë rreth aksidentit dhe personit tjetër të përfshirë në aksident.

