“Ka jetuar për të vërtetën”, Demalia: Ora News një ekran i hapur, jo i njëanshëm, i sulmuar nga pushteti

Publicisti Ilir Demalia është shprehur se televizioni RTV Ora News, ka qenë një ekran i hapur që i ka lejuar të gjithë të flasin dhe të shprehin mendimet e tyre.

Me rastin e 15 vjetorit të hapjes së televizionit, Demalia në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, u shpreh se Ora News s’ka qenë e njëanshme, ndërsa shtoi se ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve.

Ilir Demalia: RTV Ora ka qenë një televizion i cili ka luajtur një rol të hapur. Ka qenë një ekran që i ka lejuar të gjithë rrymat për të folur dhe për të dhënë opinionin e tyre. Ndryshe nga shumë televizione që dihet se janë të njëanshëm, Ora ka qenë më e ekuilibruar në këtë drejtim dhe ka qenë më shumë në ndihmë të qytetarëve për t’i dhënë opinionin që i duhet qytetarëve për atë që ndodh në jetën dhe politike shqiptare.

Ndër të tjera Demalia, u shpreh se televizioni ka pasur problemet e veta, pasi nuk ka qenë i lidhur me pushtetet, e për pasojë edhe është sulmuar.

Ilir Demalia: Ora ka pasur problemet e veta pasi nuk ka qenë e lidhur me pushtetet. Ka jetuar më shumë për të thënë të vërtetën, atë çka ndodh realisht dhe për të krijuar një reagim për opinionin publik. Televizioni Ora News i ka prishur punë pushteteve dhe është sulmuar në mënyrë të dukshme, të njëanshme nga pushteti. Kjo tregon dhe mungesën e institucioneve. 

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.