15 vjet Ora News, Shima: Sfida më e madhe kur tentuan të mbyllnin televizionin. Moment i vështirë tërmeti i 26 nëntorit
Drejtori i Informacionit të RTV ORA Neës, me rastin e 15 vjetorit të hapjes së televizionit ka treguar sfidat që është përballur gjatë këtyre viteve.
I ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, Shima është shprehur se gazetarët shpeshherë për të mbuluar të vërtetën futen në situata që rrezikojnë dhe veten.
Një tjetër vështirësi në televizion ai thotë se ka qenë edhe denoncimi i shkeljeve të institucioneve.
Brahim Shima: Të përcjellësh lajmin duke parë problemet e shqiptarëve, sot është më e thjesht se kurrë më parë, pasi qytetarët kanë marrë guximin të raportojnë problemet që kanë. Vështirësia mbetet tek emocioni i gazetarëve dhe pjesa tjetër është ballafaqimi i fakteve. Pjesa tjetër e vështirë janë denoncimi i shkeljeve të institucioneve, pasi shpeshherë zyrtarët mundohen të ndërhyjnë për të ndaluar të vërtetën. Gazetarët shpeshherë për të mbrojtur të vërtetën janë futur në tensione të mëdha duke rrezikuar shpeshherë dhe veten.
Përsa i përket sfidave, Shima ka veçuar tërmetin e 26 nëntorit si dhe momentin kur Inspektoriati shtetëror ka tentuar të mbyllë televizionin.
Brahim Shima: Sfidat janë të përditshme. Nisemi çdo ditë me një sfidë të re, për të ofruar informacionin që duhet, për të mos censuruar dhe për të mos rënë pre e provokimeve apo lajmeve të pavërteta. Kemi pasur një tre vjeçar shumë të rëndë dhe të tensionuar. Sfida e parë për mua ka qenë tërmeti, që na është dashur që të transmetojmë live duke u përpjekur të ruajmë etikën. Sfida tjetër është momenti kur Inspektoriati shtetëror tentoi të mbyllte televizionin me një argument absurd. Më e rëndë akoma ishte kur RENEA zbarkoi në televizion duke terrorizuar gazetarët dhe stafin.
