"Lufta për FSHF" Veliaj çon policë bashkiake tek zyrat e FSHF-së, Në Durrës tatimoret tek bizneset e familjes Duka

Zyrat e FSHF-së u kontrolluan paraditen e 27 janarit 2022 nga policia bashkiake e inspektorë ndërtimorë të bashkisë në kulmin e përplasjes mes kryetarit të bashkisë Erion Veliaj dhe Armando Dukës.

Për 30 minuta ata kanë qëndruar në ambientet e shtëpisë së futbollit ku thanë se ishin prezentë për rishikimin e planit për ndërtimin e fushave.

"Po ushtrojmë detyrën si inspektorë për të kontrolluar ndërtimin e fushave. Si zbatohet projekti:" tha një inspektor. 

Një veprim i tillë Administratori i shtëpisë së futbollit tha se do të ishte normal nëse do të bëhej në 2017 atëherë kur ka nisur të ndërtohet Shtëpia e Futbollit, por për 5 vite asnjë inspektor ndërtimor dhe as polic bashkiak nuk ka trokitur në derën e zyrave të FSHF-së.

Administratori i shtëpisë së futbollit, Hasan Gurabardhi tregoi se ishin dy inspektorë nga IMT e Tiranës për të kontrolluar dokumentacionin e lejes së ndërtimit të shtëpisë së futbollit ku hyjnë zyrat e Federatës, dy ministadiumet, fizioterapia dhe fusha që janë duke përfunduar.

"Duket i çuditshëm pse vijnë sot kur ndërtimi dhe leja e ndërtimit është dhënë në 2017 dhe erdhën çuditërisht sot. I vumë në dispozicion lejen e ndërtimit. Ndërtesa ka nisur 5 vite më parë dhe u habitëm pse erdhën sot” tha Administratori i shtëpisë së futbollit, Hasan Gurabardhi.

Kontrolli ndodhi sot, 27 janar 2022. Tre ditë pas publikimit të audiopërgjimit ku kryetari i bashkisë Erion Veliaj kërcënon hapur institucionin e futbollit me një fjalor rruge gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 në prag të zgjedhjeve për shoqatën e Tiranës. 

Administratori tregoi se të gjitha dokumentet i ka në dispozicion bashkia megjithatë disa dokumente u la të paraqiten të hënën e javës tjetër. 

Njëkohësisht në Durrës inspektorë të bashkisë e tatimeve kryen inspektim në bizneset e familjes Duka.

Po atë ditë, 24 janar 2022, pak orë pas publikimit të audiopërgjimit tatimorët zbarkuan në bizneset e Dukës ndërsa në mbrëmje shpërtheu një sasi dinamiti në banesën e tij. 

UEFA përmes një reagimi shprehu shqetësimin për ndërhyrjen e politikës në FSHF dhe lajmëroi se shumë shpejt do të sjellë disa zyrtarë në Tiranë.