6 marsi, Caka: Të mos kemi kandidatura pseudo-opozitare të financuara nga Rama e incineratorët

Anëtarja e kryesisë së LSI-së Silva Caka në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se nuk i shikon si një test politik zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit më 6 mars.

Caka: Nuk i shoh si test politik, mund të jetë një test i yni i brendshëm për të parë mbështetjen tek qytetarët. Çdo zgjedhje mendoj se është një testim për të parë mbështetjen tek qytetarët, por jo si një test politik, madje e quaj një proces administrativ shumë normal që duhet të kishte ardhur me kohë.

A ka pasur diskutim brenda LSI për mënyrën se si kjo forcë politike do të përfaqësoht në 6 mars?

Caka: Është ende herët për të pasur një vendimmarrje të tillë, sepse këto janë vendimmarrje të mëdha politike. Brenda LSI janë diskutuar çështjet proceduriale dhe deri në datën që do të vijnë zgjedhjet do të ketë një vendim edhe nga LSI nëse do të dalë e vetme me kandidaturat e saj në zgjedhjet e 6 marsit ose nëse do të ketë ndonjë kërkesë nga ish-aleatët, flas për partitë e vogla të frontit opozitar ndoshta për të bërë një koalicion të mundshëm dhe për të nxjerrë kandidatura të përbashkëta.

Ajo që është shumë e rëndësishme për LSI është që të kemi kandidatura realisht opozitare, kandidatura që i qëndrojnë realisht opozitës dhe jo figura politike pseudo-opozitare të financuara nga paratë e Edi Ramës dhe paratë e incineratorëve.

Caka shtoi se çdo gjë do të ngelet në dorën e qytetarëve dhe do të jenë qytetarët ata që do vendosin se kush janë kandidaturat që janë të pakapur nga qeverisja e Edi Ramës dhe nga paratë e incineratorëve.