Mallkimi i banorëve të "Laprakës" e "5 Majit": S'u ngopët duke ia marrë pronat popullit mos i gëzofshi pasuritë!
Banorët e “5 Majit” dhe të Laprakës ndodhen para Kuvendit për të protestuar, por policia po kërkon të lirojë rrugën.
“Keni bllokuar rrugën dhe hyrjen e parlamentit” u thotë një polic protestueve duke u kërkuar që të lirojnë hyrjen e Kuvendit por protestuesit përpiqen ti bindin policët se ata duan të shprehin pakënaqësinë për shkatërrimin e banesave të tyre të cilat thonë se i kanë bërë me gjak.
Pjesë nga debati
Polici: Po pengon lëvizjen dhe rrugë. Nuk po vepron mirë kaq po të them.
Protestuesi: Të mos i lëmë të hyjnë.
Polici: Nuk po vepron mirë, kaq po të them. Të drejtat e tua kërkoji aty ku të kam thënë unë. Mos bëj zhurmuesin
Protestuesi tjetër: Më keni marrë zvarrë nga prona ime. Kemi ardhur për të kërkuar një zgjidhje nga pushtetarët.
Polici: Nuk po të pengon njeri të protestosh por të rrish atje, jo të zësh trotuarin as rrugën.
Protestuesja: Veç të popullit nuk jeni, keni detyrë të mbroni mercenarët e pushtetit. Nëse do të cënoheshin shtëpitë tuaja si do të vepronit. Ju jeni policë të popullit dhe jo vetëm të mercenarëve që kanë nga 7 – 8 vila ndërkohë që ne kemi vetëm një banesë me 40- 50 vite pune.
Protestuesi tjetër: Ty të kanë vjedhur lekët e çizmes dhe të uniformës dhe unë kam protestuar për ty
Polici: Unë jam në detyrë dhe po zbatoj detyrën.
Protestuesi: Kemi ardhur të shprehim pakënaqësinë se duan të shembin shtëpitë tona që kemi 30 vite që I kemi ndërtuar. Nuk I kemi vjedhur, si ato. I kemi bërë me gjak e djersë. Kemi 30 vite që paguajmë taksat shtetit që ju të merrni pagën që ju të na mbroni e jot ë na tërhiqni zvarrë. Paguajmë taksë shtëpie dhe sot pas 30 vitesh del e thotë shtëpia juaj do prishet se është pa leje. Unë përderisa paguaj një taksë shtëpie aty, zotëria e dinte që unë kam pasur një shtëpi, ose të mos merrte taksë shtëpie dhe as tarifa uji apo dritash. Për atë shtëpi aty kur kam ndërtuar nuk ka pasur projekt. Projekti është devijuar disa herë. Ata që nuk ngopen duke ia marrë pronat popullit shqiptar mos i gëzofshin pasurinë. Ata janë hajna, kriminela.
Banorët e Laprakës preken nga projekti i "Unazës së Madhe" të kryeqytetit. Bëhet fjalë për rreth 700 shtëpi, por zyrtarisht janë njoftuar vetëm ata banorë që kanë certifikatë pronësie.
Ata thonë se nuk do të dalin nga banesat nëse ato nuk vlerësohen me çmimin e tregut.
Ndërsa të tjerët nuk e dinë ende fatin e shtëpive të tyre, ku kanë investuar mundin e një jete.