Qeveria dhe skandali i incineratorëve, Tabaku: SPAK nuk ka guxim të lëvizë drejt personave që kanë pushtet

Kur ende nuk ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, ethet dhe akuzat tashmë kanë nisur. PS flitet që do të kandidojë në këto zgjedhje në bashkinë e Durrësit me Emirjana Sakon e cila aktualisht mban postin e nënkryetares dhe kryetares në detyrë në këtë bashki. Për PD ky është një shpërblim që Rama po i bën Sakos pasi ajo firmosi kontratën që i jep 10 mln euro Mirel Mërtirit të Incineratorit të Tiranës. Madje PD shkon më tej kur thotë se paratë e incineratorëve do të përdoren dhe për të fituar zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj fillimisht falenderoi televizionin e Ora News, pasi që në vitin 2017 kur PD e ka denoncuar aferën e incineratorëve nuk i është ndarë denoncimit.

Tabaku: Qëkur u krijua Komisioni hetimor kemi pasur shumë pak dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës. Fatkeqësisht, para pak ditësh PS votoi kundër planit të hetimit dhe i bllokoi hetimet në Parlament. Kjo nuk do të thotë që do bllokojë punën tonë. Ne do ekspozojmë dhe fakte  të tjera dhe për secilin prej incineratorëve do dorëzopen në SPAK. Bllokimi i punës së komisionit na jep një motiv më shumë për të vazhduar.

Tabaku tha se puna në Komisionin Hetimor ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Ajo tha se kanë pritur që një pjesë e madhe e institucioneve t'i vinte nga institucionet, por kjo nuk ka ndodhur. Dhe bllokimi i dytë sipas saj, erdhi para pak ditësh me votimin kundër thirrjes së dëshmitarëve nga ana e PS. Tabaku tha se nuk duan që kjo çështje të kalojë në Gjykatën Kushtetuese për vonesa ose pengesa të pajustifikuara.

Tabaku: Kjo ishte diçka që zgjidhej nga rregullorja e Parlamentit. Pavarësisht kësaj pengese ne do përdorim si rrugët ligjore po ashtu edhe dorëzimin e gjithë informacioneve që kemi marrë në SPAK.

A po pengohen institucionet e drejtësisë?

Tabaku: Unë e gjykoj si një mungesë guximi të SPAK për të lëvizur tek personat që kanë realisht pushtet. Lefter Koka është akuzuar për 3 akuza, 2 prej të cilave lidhen me procedurat. Për 2 akuzat e para janë përgjegjës të gjithë personat që ne kishim thirrur për të dëshmuar: Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, 3 kryetarët e bashkive, Elbasan, Tiranë dhe Fier, Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë dhe sigurisht kryeministri. Për të njëjtën arsye duhet të ishin arrestuar deh të tjerët sepse kjo nuk është bërë vetëm nga Lefter Koka. SPAK duhet të tregojë që në çështjet e korrupsionit nuk ka pushtet, duhet të tregojë që arrestimet dhe ndjekjet për ata që janë në pushtet sot pavarësisht presionit nuk duhet ta ndalojnë.

Sipas Tabakut, SPAK konfirmon që për incineratorin e Elbasanit janë dhe persona të tjerë nënë hetim dhe të njëjtën gjë konfirmoi edhe për incineratorin e Fierit dhe Tiranës.