Basha sulmon Berishën nga Durrësi: Nëse nuk i shërben demokratëve duhet të ndahemi 1 orë e më parë, pa asnjë dilemë
Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët e Durrësit pasditen e sotme në Pallatin e Kulturës "Aleksandër Moisiu."
Basha u shpreh se nuk janë mbledhur për të sharë demokratët, për të shpifur për shqiptarët dhe as ndaj anëtarëve të familjes politike.
Basha: Nuk kemi ardhur të gënjejmë se kështu na i do interesi i momentit, por kemi ardhur për PD, për Durrësin dhe për Shqipërinë. Kemi ardhur për PD në një moment të veçantë kur një pakicë çdo ditë e më e vogël mblidhet pikërisht për shkak të të kundërtave, për të shpifur, për të gënjyer. Ata janë një pakicë sepse nuk i bashkon asnjë ideal, asnjë kauzë, por vetëm halli personal i një njeriu të vetëm i cili premtoi në mes të verës se nuk do ta merrte partinë peng për interesat e tij personale. Shpallja "non grata" nga SHBA ishte një shok për ne në fillim, por tani që e shohim se si sillet me demokratët, si gënjen, si e kaloi vijën e kuqe më 8 janar.
Sipas Bashës ajo që po ndodh në parti është një ndryshim kulturor.
Basha: Cili nga ata që është nën 30 vjeç e kujton të panatyrshme këtë që po ndodh? Cili prej tyre do që të ulet dhe të ndjekë pafund shpifje gënjeshtra, mashtrime nga dikush që ka 30 vite në pushtet? Kujt i shërben kjo? A i shërben demokratëve? Nëse nuk i shërben demokratëve dhe Shqipërisë është diçka që duhet të ndahemi 1 orë e më parë pa asnjë dilemë. Këtë bëmë në Kuvendin e 18 dhjetorit ku demokratët zgjodhën të ardhmen.
