"Beteja jonë është të ndajmë politikën nga krimi", Basha: S'do t'i braktis kurrë interesat e demokratëve

Lulzim Basha gjatë një takimi që zhvilloi me demokratët e Durrësit pasditen e sotme deklaroi se nuk do t'i braktisë interesat e demokratëve dhe shqiptarëve.

Basha tha se e ka thënë gjithmonë me zë të lartë të vërtetën. Ai solli në vëmendje denoncimin e aferës së incineratorëve disa vite ma parë.

Basha: E vërteta po vonon, por nuk do të harrojë. Edhe drejtësia ka vonuar, por nuk do të mungojë. Në fund një gjë do të qëndrojë, demokratët për aferën e incineratorëve sikundër për gjithë aferat korruptive të Edi Ramës e kanë thënë të parët fjalën dhe i kemi qëndruar deri në fund për interesat e shqiptarëve të cilat nuk do t'i braktisim kurrë. Ka nga ata që janë fshehur dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë sepse kanë qenë dhe janë në pazar me Edi Ramën. Janë ata që sot më akuzojnë mua, nga mëngjesi deri në darkë shpikin nga një gënjeshtër të re. Por kjo i lidh bashkë, i lidh gënjeshtra si mjeti i vjetër i propagandës komuniste për të mbuluar të vërtetat e dhimbshme në kurriz të shqiptarëve.

Basha tha se ata që gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë mblidhen për dy qëllime, të mbrojnë veten e tyre dhe së dyti përpiqen ta dobësojnë, mundësisht ta përçajnë PD.

Basha: Gënjeshtrat po ju bien ditë pas dite.  Do shpikni gënjeshtra të tjera edhe ato do t'ju bien. Të gjitha gënjeshtar do të bien sepse sa më shumë të gënjesh aq më shumë je i detyruar të gënjesh. Sa më shumë je i detyruar populli e kupton që gënjen për një hall tëndin personal të cilin nuk ta zgjidh dot PD dhe për të cilin nuk do ta marrësh dot kurrë peng PD. Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do pranohet kurrë. Beteja jonë është të ndajmë politikën nga krimi, nga korrupsioni.