Zgjedhjet e pjesshme vendore, Meta: Ndodhemi në një moment kritik, njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë platforma

Presidenti Meta dekretoi datën 6 mars si datë kur do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit: Vora, Rrogozhina, Durrësi, Dibra, Shkodra dhe Lushnja.

Ditën e sotme, Ivi Kaso, i cili në zgjedhjet e fundit të 25 prillit ka përfaqësuar PD në KQZ zgjodhi të ishte në mbledhjen e sotme të KQZ edhe pse zyrtarisht PD dhe kryetari i saj Basha kishin referuar dy përfaqësues të tjerë, Marash Logun dhe Indrit Sefën.

Mbledhja u zhvillua për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të mbahen në 6 bashki të vendit.

Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, nuk e fshehu keqardhjen për situatën, por tha se institucioni që drejton marrëdhëniet institucionale i ka me PD.

Ekspertja Gerta Meta e ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se përfaqësuesit e partive politike e kanë të drejtën që të dërgojnë pranë KQZ një person i cili do ndjekë gjithë ecurinë që KQZ do ketë gjatë organizmit të procesit zgjedhor.

Meta: Ndarja e PD në dy grupime do ta provokonte këtë ngjarje që ka ndodhur sot pranë KQZ, sepse të gjithë diskutojmë dhe pyesim kush është sot PD? KQZ respekton kuadrin ligjor dhe ligjin dhe njeh partinë e cila është e regjistruar si subjekt zgjedhor pranë Gjykatës.  Të dyja grupimet e PD i janë drejtuar Gjykatës dhe megjithëse nuk ka ende vendim, grupi nga krahu i zotit Berisha është në pritje për të ndarë këtë gjë.

Ekspertja tha se "qytetarët dhe votuesit shqiptarë janë shumë të interesuar për këto zgjedhje pasi ndodhemi në një moment kritik dhe qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë platforma."

Meta: Qëllimi është që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ky është qëllimi, nuk është qëllimi se si e ndajnë partinë qoftë PS apo PD. Këto 6 bashki duhet të jenë 6 modele të realizimit të zgjedhjeve me standarde. Qeverisja lokale është e një rëndësie të madhe.

Zonja Meta shtoi se 25 prilli ishte problematik pasi kishte një reformë zgjedhore të cunguar.

Meta: Kemi parë që është stopuar si reforma zgjedhore, si ajo administrative. Forcat politike janë përsëri të ndara se si dhe kur do ta kemi një reformë të realizuar dhe përfundimtare. Sa herë që ka zgjedhje ne gjithmonë i fillojmë gjërat nga fillimi.

Ekspertja shtoi që këto zgjedhje më 6 mars duhet të ishin konsultuar dhe qytetarëve e votuesve duhet t'i ishin dhënë subjekte zgjedhore, garuese të cilat janë me integritetin e plotë për t'i përfaqësuar.