"Çdo fëmijë është dhuratë nga Zoti", aktivistët në SHBA tubohen përpara Gjykatës së Lartë kundër abortit
Aktivistë që kundërshtojnë abortin në Shtetet e Bashkuara kanë bërë një marshim përpara Gjykatës së Lartë me shpresën se kjo e fundit do të rrëzonte përfundimisht të drejtën për të abortuar.
Mijëra aktivistë të krahut të djathtë janë tubuar përpara Gjykatës së Lartë të SHBA-ve për ndalimin përfundimtar të abortit në shtetin e Misisipit, në atë që ata e quajtën ‘Marshimi për jetën’.
Me gjithë temperaturat e ulëta për shkak të motit, turma ishte kryesisht festive me këtë marshim të përvitshëm kundër abortit.
Aktivistët shprehen se mezi presin që gjykata ta ndalojë përgjithmonë ligjin e abortit.
"Unë jam këtu për të mbështetur jetën, besoj se ne duhet t’i japim fund abortit në Amerikë. Jeta fillon nga koncepti dhe mezi pres që Gjykata e Lartë të rrëzojë ligjin për abortin".
Në SHBA, aborti u lejua 50 vjet më parë përmes një ligji të miratuar në 50 shtetet e vendit.
Një aktiviste besimtare shprehet se është kundër abortit pasi çdo jetë, sipas saj është një dhuratë nga Zoti.
"Ne jetojmë në një botë që ka ndryshuar kaq shumë dhe vlerat e jetës, vlerat njerëzore pothuajse nuk ekzistojnë më. Ne duam të dëshmojmë se në të vërtetë, çdo jetë është një dhuratë, është një dhuratë nga Zoti".
Tre nga 6 gjyqtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë, të cilët janë emëruar nga ish-presidenti, Donald Trump, duket se janë të gatshëm të rrëzojnë ligjin që lejon abortin në Misisipi dhe ndoshta edhe ligjin federal që legalizoi për herë të parë abortin në vitin 1973.

