11 vite nga 21 janari, Rama dhe familjarët e 4 viktimave homazhe te “Dëshmorët e Kombit”
Ashtu si në çdo vit kryeministri Rama së bashku me familjarët e viktimave të 21 janarit, ka përkujtuar ngjarjen tragjike të vrasjes së protestuesve.
I shoqëruar nga familjarët e Ziver Veizi, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt, kreu homazhe në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" ku vendosi karafila në vendin u vranë 4 protestuesit.
Nën reshjet e shumta të shiut, kryeministri Edi Rama, nuk harroi të kujdesej për prej familjarëve të viktimave duke i mbajtur çadrën.
Prej 11 vitesh familjarët kërkojnë drejtësi, e shpresën e kanë te ajo e reja.
"Presim ndërhyrjen e drejtësisë së re e cila po zhvishet nga korrupsioni politik dhe korrupsioni moral. Çështja kemi bindjen se do kalojë të SPAK-u për tu gjykuar."
"Jo nuk është vënë akoma, megjithatë nuk ka humbur."
Homazhet i përmbyllën në vilën qeveritare, ku dikur jetonte diktatori Enver hoxha së bashku me familjen e tij.
Reagimin e vetëm Rama e bëri në rrjetet sociale. Me foton e karafilave të kuq, tashmë simbol i viktimave të 21 janarit.
"Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi,” shkruan Rama.





