Jo vetëm Dibra, edhe Kukësi e Puka "vishen" me petkun e bardhë të borës

Edhe qarku i Kukësit është zgjuar i zbardhur nga dëbora mëngjesin e sotëm ndërkohë gjatë natës është shoqëruar me reshje shiu me intensitet mesatar dhe erëra të forta.

Lartësia e borës në Shishtavec ka arritur në 40 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prushi Has 10 cm.

Nga informacionet e marra nga Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Kukës, rezulton se rrugët nacionale  dhe rruga e Kombit janë të kalueshme normalisht.

Nga kontraktorët vazhdon të punohet gjatë gjithë  kohës për pastrimin e borës,  largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Edhe rrugët rurale në administrim të bashkive janë të kalueshme. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit të Mbrojtjes Civile të Prefekturës Kukës, furnizimi me energji elektrike është normal, përveç, Njësisë Administrative Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë- Çajë, Tërthore, fshatrat Shishtavec, Novosej, Zapod, Njësia Administrative Shishtavec, qyteti Kukës 400 abonentë dhe Njësia Administrative Gjinaj bashkia Has.

Edhe furnizimi me ujë të pijshëm është normal në shkallë Qarku. Mësimi ka nisur normalisht dhe nga informacionet shkollat janë furnizuar me lëndë drusore për ngrohje. Nuk raportohet për problematika emeregjente.

Komisioni i  Mbrojtjes Civile paralajmëron qytetarët që të tregohen të kujdesshëm  për të shmangur situata të rënda. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit natën dhe në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore.

Edhe Puka është "pushtuar" nga bora.

Aktualisht po bëhet kriposja e rrugëve. Akset nacionale dhe rurale në të gjithë territorin e bashkisë janë të kalueshme pa probleme.

Shkollat dhe institucionet e tjera arsimore po funksionojnë normalisht me kushte optimale të ngrohjes.

Ujësjellës Kanalizime bën të ditur se aktualisht nuk ka probleme me furnizimin me Ujë.

OSHE njofton për furnizimin normal me energji deri në këto momente.

Policia Rrugore këshillon mbajtjen në automjet të mjeteve teknike me qëllim evitimin e vështirësive të mundshme.