"8 janari" Gjekmarkaj: U sulmuam duke thyer çdo kod bese për të shkaktuar vëllavrasje
Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj ndihet optimist se PD tashmë hodhi pas dilemat dhe po ringrihet.
Përplasjen e 8 janarit e quan sulm për të shkaktuar vëllavrasje.
“PD po ringrihet ajo ka fillur betejën e vet me Edi Ramën duke përmbyllur tre muaj dilemash. Kemi vetëdijen e historisë, aktualitetit dhe të ardhmes. Kemi zgjedhur Lulzim Bashën. Unë kam qenë në selinë e PD më 8 janar. U sulmuam duke u thyer çdo kod bese, burrërie, u sulmuam për të shkaktuar vëllavrasje e gjakderdhje. Këtë nuk ia bën demokrati demokratit e as shqiptari shqiptarit. Në historinë e Shqipërisë e kanë bërë vetëm komunistët, gjejeni vetë kush është komunisti në këtë rast”
Për Bashën tha se është njeriu i duhur që ka treguar se di ti dalë për zot PD dhe bëri thirrje për ndarje një herë e mirë nga Berisha.
“Një nga arsyet pse kam pranuar pozicionin ( Shënim: Nënkryetar i PD-së) është 8 janari, sepse kam parë që Lulzim Basha është një burrë që nuk ka frikë dhe është i gatshëm në vetë të parë të përballet me rrezikun e ti dalë për zot PD, të përballet me Ramën e nesër të jetë kryeministri Shqipërisë. Nuk ka përmbyllje të tranzicionit në Shqipëri nëse nuk nxjerrim jashtë personazhet e tranzicionit. Shqipëria duhet të jetë më proamerikane, më properëndimore e PD në pushtet.”