Të martën, seancë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, qeveria maqedonase merr 50 gazetarë
Një delegacion qeveritar maqedonas niset të martën për në Sofje, pasi dy ditë më parë kryeministrat maqedonas dhe bullgarë ranë dakord për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare që pritet të sjellë dinamikë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov paralajmëron formimin e katër grupeve punuese që në gjashtë muajt e ardhshëm duhet të forcojnë bashkëpunimin në disa sektorë.
Rezultatet e takimeve të Petkovit të martën në Shkup i përshëndeti edhe presidenti bullgar Rumen Radev.
Megjithatë, ai theksoi se përveç ekonomisë, infrastrukturës dhe arsimit, nuk duhet të harrohen edhe çështjet kyçe në rrugën evropiane të Maqedonisë.
Radev i vlerësoi si të paqëndrueshme kërkesat maqedonase për reciprocitet për pakicën maqedonase në Bullgari.
Partia opozitare VMRO-DPMNE konfirmon se nuk do të marrë pjesë në formimin e grupeve punuese sepse nuk dëshiron t'i japë legjitimitet politikave të këqija të Qeverisë.
Qeveria maqedonase informoi sot se do të organizohet monitorim mediatik i seancës ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Në thirrjen e sotme drejtuar mediave për akreditim, Qeveria njofton se do të marrë 50 gazetarë nga mediat maqedonase në Sofje për të përcjellë këtë seancë të përbashkët.

