Eksportet e droneve, tregues se Erdogani po e konsolidon pozitën e Turqisë në rajon

Eksportet e droneve janë tregues se qeveria e Erdoganit po e konsolidon pozitën e Turqisë në rajon edhe me mjete të fuqisë së fortë, thotë për DW ekspertja turke për Ballkanin,Birgül Demirtaş.

Cilat janë motivet e angazhimit turk në Ballkan?

Ballkani perceptohet nga vendimmarrësit në Ankara si një shtrirje transnacionale e asaj që ne e quajmë 'vatan', një nocion i mbushur me kujtime emocionale. Ka ngjashmëri kulturore dhe shumë lidhje njerëzore. Vlerësohet se në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Shqipëri. Shumica emigruan në Turqi pas themelimit të Republikës Turke në vitin 1923. Ata janë të organizuar në shoqata të ndryshme ballkanike dhe rumeliane dhe përpiqen të ndikojnë në politikat e Turqisë ndaj Ballkanit. Prandaj, çfarëdo që të ndodhë në Ballkan ka ndikim edhe në Turqi.

Për shembull? 

"Kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Turqia ishte ndër vendet e para që dërgoi ndihma emergjente dhe punonjës të ndihmës së shpejtë. Ishte Turqia ajo që ndërtoi 522 shtëpi në Laç për njerëzit që humbën shtëpitë nga tërmeti, ishte Turqia që jo vetëm dërgoi ndihmë mjekësore gjatë pandemisë, por ndërtoi edhe një spital në Fier në 2021. Janë vetëm disa shembuj këto nga kohët e fundit. Turqia ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e falënderoi presidentin turk për këtë. Por kjo ndihmë ka edhe çmime. Shqipëria nënshkroi kontratë për blerjen e droneve dhe presidenti turk bëri thirrje të qartë për mbështetje në luftën kundër gylenistëve

Vizita e fundit e presidentit turk dëshmoi se çështja FETÖ është ende një çështje e rëndësishme mes Ankarasë dhe Tiranës. Autoritetet turke i kanë kërkuar Shqipërisë që të ndalojë të gjitha aktivitetet e FETÖ në sektorin arsimor, shëndetësor, fetar dhe privat, por deri më tani kjo kërkesë e palës turke nuk është përmbushur nga autoritetet shqiptare.

Nga ana tjetër, Turqia  kohët e fundit e ka shtuar eksportimin e droneve në vendet fqinje partnere. Ky është një tregues i rëndësishëm se qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim po përpiqet të konsolidojë rolin e Turqisë si një aktor rajonal, edhe me mjete të fuqisë së fortë (hard power). Ankaraja ishte fokusuar deri tani në mjetet e fuqisë së butë (soft power) në ndërveprimet e saj me Ballkanin. Përqendrimi i Turqisë në eksportet e droneve është diçka që meriton vëmendje, duke pasur parasysh rritjen e tensioneve gjatë kohëve të fundit në rajon."

Shkrimi origjinal:  Birgül Demirtaş: Erdogani nuk është konkurrent për BE-në në Ballkan