Nisin punimet për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë, Peleshi: Do kushtojë 50 mln euro
Ka nisur puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se ky është një projekt i rëndësishëm për vendin tonë, pasi konfirmon prezencën e NATO-s në Shqipëri dhe do të ketë impakt në fushën e sigurisë kombëtare.
Peleshi: Ky projekt i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, pro mbi të gjitha për sigurinë rajonale mori jetë rreth 3 vite më parë. Ky është investim i rëndësishëm në vendin tonë me vlerë 50 mln euro. Ky zhvillim vjen në një periudhë të trazuar në kufijtë lindorë të Aleancës. Shqipëria është një aleat i rëndësishëm në të cilin NATO beson dhe vlerëson rolin e vazhdueshëm kyç që luan vendi ynë në rajon. Ndërtimi i kësaj baze është një mesazh i qartë për aktorë dhe qëllime rivale në rajon. Ky investim forcon orientimin tonë perëndimor drejt BE dhe SHBA, rritja e pranisë perëndimore në rajonin tonë është rezultat i vullnetit tonë, është zgjedhja jonë për të qenë në anën e Perëndimit.
Peleshi tha se projekte të ngjashme janë të mirëpritura në vendin tonë dhe u shpreh besimplotë se zhvillime të tjera do të pasojnë. Transformimi i bazës ajrore të Kuçovës, tha Peleshi është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe forcat e saj të armatosura.
Baza e re, sipas tij, konfirmon prezencën e NATO-s në vendin tonë dhe do të ketë impakt të rëndësishëm në fushën e sigurisë kombëtare.
