Baza ajrore e Kuçovës, Rama: Tregon që jemi vlerë e shtuar në NATO, lajmi u përqesh para 3 vitesh, por sot është realitet
Ka nisur puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë. Kryeministri Rama u shpreh se vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë duke e transformuar në një bazë ajrore të Aleancës në rajon konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është një vlerë e shtuar në këtë Aleancë.
Rama: Për ne lajmi kësaj vendimmarrje ishte një lajm shumë i mirëseardhur sepse jo vetëm lejonte një vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik dhe pozitën tonë në NATO.
Zoti Rama u shpreh se puna e përbashkët e ka çuar bashkëpunimin me SHBA në një nivel komplet tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, tha Rama, ne po vetëdijësohemi çdo ditë e më shumë se nëse investohet në mënyrë inteligjent dhe nëse adresohen në rrugën e forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë së forcave ushtarake ashtu si duhet, mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera.
Rama: Sot po shohim të realizuar një projekt i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm. Madje më kujtohet sa shumë është përqeshur si lajm kur i bë publik 3 vjet më parë. Përveç përfitimeve në aspektin strategjik, do të impaktohet edhe ekonomia dhe në aspektin social po ashtu zona e Kuçovës do të ketë një përfitim të ardhur nga qielli në këtë rast.
Kryeministri tha se ky projekt është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Më tej ai shtoi se këtë vit është bërë rritja e pagave për forcat e armatosura, por ambicia është që rritja të vijojë derisa të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s.
