"Më tërhoqën zvarrë 20- 30 policë" Ora News sjell dëshminë e banorit të "5 Majit": Unë me fëmijët e mi do rri aty deri në pikën e fundit

Një ditë pasi fadromat mësynë tek “5 Maji” kanë mbetur vetëm gërmadhat.  Ora News u kthye pas atje, pranë banorëve të familjeve që iu shemb banesa.

Në oborrin e familjes Marku, e cila deri dje kishte një banesë tre katëshe tani ka vetëm gërmadha.

Familjarët bënë dje rezistencë duke vetëprangosur veten por policia ndërhyri dhe arriti ti largojë.

Bekim Çerri është një ndër banorët e parë të cilët u morën me forcë në makinën e policisë për tu shoqëruar në komisariat.

“Kishin piketuar disa persona për të hyrë brenda. Ne qëndruam gjithë natën zgjuar sepse e dinim që do të vinin në mënyrë të fshehur.  Fillimisht sollën një letër që do vinin në orën 10:00 ndërsa erdhën në orën 07:00. Ne në mëngjes ishim vendosur dhe insistuam që të mos hynim.

Unë personalisht nuk kam prekur asnjë me dorë. Më tërhoqën zvarrë 20- 30 policë. U kërkova sqarim pse më keni marrë por nuk më kanë thënë asgjë. I vetmi informacion që më kanë dhënë është se është marrë për tu intervistuar. Ndërkohë që mua më morën zvarrë dhe më mbajtën 5 orë në komisariat.

Çerri ka dhe një mesazh për  drejtorin e policisë Gledis Nano

"Ke thënë që këto banorë ishin të dhunshëm. Jo zotëri. Unë nuk kam prekur njeri me dorë. Më keni marrë zvarrë, e nuk keni çfarë të thoni. Nëse donin të na intervistonin kishin 4 muaj kohë. Në momentin e fundit kur mua më cënohet e drejta, të mos më thotë mua që e kemi marrë për intervistim."

 Ai shprehet i vendosur se nuk do të largohet nga banesa e tij.

“Nëse do vijë firma ndërtuese nuk do të lejoj që të ndërtojë. Shtëpia ime është mbrapa. Unë me fëmijët e mi do rri aty deri në pikën e fundit do protestoj. Nëse do e prishin do e prishin me dhunë deri në pikën e fundit”