"Qumështi më lirë se uji", blegtorët e jugut protestë në Dropull: Mungojnë subvencionet nga shteti

Blegtorët e Jugut kanë protestuar në Dropull këtë të enjte, 20 janar.

Mungesa e subvencioneve sipas fermerëve të Gjirokastrës, Sarandës, Delvinës e Dropullit i ka gjunjëzuar ata.

"Shteti nuk na ndihmon, nuk na mbron."

Sipas tyre çmimi i lëndës së parë, qumështit është tejet i lirë, ndaj të ardhurat e tyre janë minimale.

"Kur kemi një hall ne, nuk del një njeri të thotë "prit o vëlla." Ne te shteti përgjigjemi, këta s'përgjigjen karshi ne. Qumështin e shesim me 80 dhe 100 lekë, një shishe ujë bën 50 lekë gjysmë kile."

Ata kërkuan takim me ministren e Bujqësisë Frida Krifca që së bashku të gjejnë një zgjidhje.

"Kërkojmë takim me ministren e Bujqësisë, të vijë të japë shpjegim."

Fermerët thanë se në kushtet kur shteti nuk interesohet për ta, lënia e vendit është zgjidhja e vetme.

"Tre muaj jemi me lekë dhe muajt e tjerë jemi pa lekë. Ne do ikim, siç erdhëm."

Blegtorët i janë drejtuar me një peticion ministrisë së Bujqësisë për të kërkuar rregullimin e tregut të qumështit ndërsa kanë paralajmëruar se nuk do të çojnë më qumësht në punishte nëse nuk do të merren masa.