E rëndë/ Ndërron jetë fëmija 3-vjeçar në Elbasan, shkoi në spital me temperaturë të lartë

Një vajzë 3-vjeçare ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 19 janar 2022, në Spitalin e Elbasanit.

Policia njoftoi se e mitura ka ndërruar jetë disa orë pasi është dërguar në spital. Agim Islami, babai i vajzës, përpara medieve ka deklaruar se vajzën e kishte të sëmurë prej së paku 9 ditësh, ndërsa 7 ditë më parë kanë kryer edhe vizitën e parë në spitalin e Elbasanit.

Por mjekët e kanë rikthyer në shtëpi për mjekim duke thënë se shkak për gjendjen e saj janë virozat.
Por orët e fundit, gjendja shëndetësore e vajzës ishte përkeqësuar ndërsa temperatura e lartë ka detyruar prindërit që t’i drejtohen sërish spitalit.

"U sëmur para 1 jave, e solla për vizitë para 2, 3 ditësh. Doktori tha se ka virozë, më dha një qese me ilaçe dhe e solla në shtëpi. Dje goca u bë keq, iu nxi buza. E solla në spital e i bënë 2 shishe me serum. Është virozë thanë, ka 8, 9 ditë që është me virozë. Doktori më tha që është virozë, më dha ilaçe, kaq. Kam recetën e ilaçeve në shtëpi. Nuk kanë dhënë asnjë lloj shkaku për vdekjen. Vdiq", tha babai i 3-vjeçares.

Spitali i Elbasanit ka deklaruar paraprakisht se 3 vjeçarja kishte Insufiçence respiratore acute, insufiçence kardiake dhe Pneumonia bilaterale të cilat i shkaktuan vdekjen.
Do të jetë ekspertiza mjeko ligjore ajo e cila do të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së të miturës në Spitalin e Elbasanit.