Vlorë/ Grup i strukturuar kriminal dhe trafik kalndestinësh, 5 në pranga
Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion në orët e para të mëngjesit dhe ka shoqëruar 5 persona.
Të ndaluarit akuzohen për grup të strukturuar kriminal dhe trafik klandestinësh.
Ora News mëson se janë ndaluar shtetasit Paulin.K, Petrit.P, Dushan.S, Fatjon.B dhe Qazim.I për trafik klandestinësh.
Ndërkohë mësohet se policia e Vlorës ka nisur të ndaluarit drejt Tiranës.
Njëri prej të ndaluarve, Qazim Ismaili është arrestuar më parë për trafikim klandestinësh, për ngjarjen e 8 janarit me 55 sirianë në bord.
Ndërsa Dushan Spahiu, Paulin Koci janë referuar në Prokurori edhe për akuzën e “trafikut të mjeteve motorike” pasi një anije e Rojes Bregdetare i ndaloi teksa lundronin me një gomone 9 metra të gjatë në afërsi të shpellës së Haxhi Alisë në Karaburun. Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit një vit më parë, gomonia ishte e vjedhur në Greqi.
Aksioni është zhvilluar për llogari të Krimeve të Rënda.
Veprimtaria e të ndaluarve
Për sa i përket këtyre shtetasve mendohet se kishin detyra të ndryshme. Ata i merrnin klandestinët nga qytete të tjera me anë të një mjeti e i shoqëronin deri në vendin ku niseshin për Itali.
Zakonisht klandestinët ecnin disa orë në këmbë në drejtim të gadishullit të Karaburunit dhe fshatrave të Vlorës.
Më pas niseshin me gomone ose nga gadishulli Karaburunit ose nga grykëderdhja e Vjosës për në kanalin e Otrantos dhe më pas në Itali.
Ata vepronin orët e vona dhe të mëngjesit, për të mos u vënë re nga patrullat e policisë.
Gjithashtu, mendohet se të ndaluarit nga policia kanë pasur kontakte të brendshme edhe me strukturat detare për të mësuar lëvizjet e tyre përpara se gomonia të nisej.
Mjetet që trafikonin klandestinët zakonisht vidheshin në shtetet fqinje si Greqia, Italia etj.
Policia e krimeve të rënda dhe prokuroria Tiranë me ndihmën e strukturave vendore Vlorë kanë nisur hetimin dy vite më parë.


