Balliu te "5 Maji": Çështje nën hetim nga SPAK, duhej pritur vendimi i Gjykatës para shembjes së shtëpive
Ish-deputeti Klevis Balliu ndodhej në zonën e "5 Majit" aty ku fadromat filluan shembjen e 3 shtëpive për t'i hapur rrugë procesit të rindërtimit.
Zona është rrethuar me forca të shumta policie që në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që Balliu thotë se policia është dërguar qëllimisht që të ketë përplasje me policinë. Më tej, Balliu u shpreh se çështja e "5 Majit" është nën hetim nga SPAK dhe duhej pritur vendimi i Gjykatës që të fillonte shembja.
Balliu: Të sjellë policinë që të përplasen, të cilët nuk kanë asnjë përfitim nga ai projekt apo nuk kanë asgjë personale me banorët dhe banorët nuk kanë asgjë personale me policët. Ata janë në punën e tyre, por sjell këta që të përplasen me qytetarët. Banorët i kanë dërguar këtë shkresë këtë Erion Veliaj ka një muaj dhe Veliaj nuk i kthen përgjigje.
Kanë bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranë dhe në SPAK dhe këta nuk presin hetimin e çështjes që të merret një vendim në Gjykatë dhe më pas të vazhdohet sipas vendimit të Gjykatës, siç e ka shteti ligjor, por këta nuk presin sepse kanë interesa financiare dhe monetare në shtëpitë e këtyre banorëve. Nëse Gjykata nesër vendos që kjo ndërhyrje është e gabuar kush ja jep lekët banorëve? Kush ja jep shtëpitë? Prandaj pritet për sa kohë kjo është çështje në hetim.
