Rikthehet mësimi online në gjimnazin e Korçës

Rritja e ndjeshme e rasteve që rezultojnë pozitivë me virusin Covid-19 është duke u ndjerë edhe në institucionet arsimore.

Për shkak të infektimeve masive gjimnazi “Irakli Tërova” në Korçë ka rikthyer mësimin online.

Drejtori i gjimnazit shprehet se përveç rasteve të mësuesve, të infektuar janë edhe disa prej nxënësve.

"Kemi infeksione te nxënësit jo shumë të madh, rreth 10%, por kryesorja është se kemi infeksione në stafin mësimor, ku nga 11 mësues, pesë janë të infektuar."

Në të gjithë qarkun e Korçës sipas të dhënave zyrtare të qeverisë janë aktualisht të infektuar 699 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se rreth 90% e stafeve të shkollave në arsimin parauniversitar janë të vaksinuar tanimë, ndërsa së fundmi është rritje e madhe e të rinjve të infektuar me virus.