Pistoleta e krimit në depozitën e ujit, mbyllet hetimi për vrasjen e policit në Lezhë, dy persona nën akuzë
Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për vrasjen e policit Xhuliano Prela, dy vite më parë. Redion Hysa është vënë nën akuzë për vrasje, pasi pistoleta me të cilën dyshohet se u ekzekutua punonjësi i policisë së Shtetit u gjet në depozitën e ujit të banesës së tij.
Më shumë se dy vite nga vrasja e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhuliano Prela, prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar për gjykim dosjen.
Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku janë vënë nën akuzë për krimin e dhjetorit 2020 në fshatin Gajush.
Sipas dosjes hetimore Redion Hysa është autori i dyshuar i vrasjes, ndërsa ndaj Nikoll Shernikut është ngritur akuza "Moskallëzim Krimi".
Dy kushërinjtë u arrestuan më 28-dhjetor të vitit 2020, pasi sulmuan me breshëri kallashnikovi një karburant që kishte filmuar vrasjen e policit.
Ishte një pistoletë e gjetur në depozitën e ujit të banesës së Redion Hysës ajo që çoi në zbardhjen e ngjarjes sipas prokurorisë së Lezhës.
Ekspertiza balistike, provoi shkencërisht se me atë armë ishin kryer 3 qitje në vendi ku u gjet i vrarë Xhuliano Prela.
Një prej plumbave sipas ekspertëve u mori jetën punonjësit të Policisë së Shtetit.
Rezultatet e hetimit, mësohet se i janë bërë të ditura edhe të akuzuarve.
Redion Hysa sipas burimeve ka kyçur gojën përballë hetuesve. Ai mësohet se nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim për provat mbi të cilat kërkohet dënimi për vrasje.
Dosja tashmë është në Gjykatën e Lezhës, ku një gjykatës paraprak do të vendosë nëse do ta kalojë për gjykim, apo do ta kthejë për plotësim hetimi.
Xhuliano Prela u vra më 5 Dhjetor 2020 pranë fshatit Gajush.
Konflikti që përfundoi me plumba sipas hetimit nisi për dritat e gjata të një makine që reflektonin tek mjeti i palës tjetër në rrugën Shkodër Lezhë.

