Tentoi të arratisej, GJKKO rrefuzon kërkesën e Arbër Çekajt për të dalë nga regjimi i izolimit 41-Bis
Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Arbër Çekajt për të ndryshuar regjimin e sigurisë. Ai ndodhet prej disa muaj në sistemin 41 Bis pas tentativës së arratisjes nga qelitë e burgut 313 në gushtin e vitit të kaluar. Kërkesa e tij për nxjerrje nga izolimi është refuzuar me argumentin se i dënuari për trafikimin e 613 kg kokainë paraqet rrezikshmëri.
Pronari i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj do të vijojë të qëndrojë në sistemin 41-Bis pas dënimit ndaj tij me 14 vjet për trafikimin e 613 kilogramë kokainë. Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar kërkesën e avokatëve të biznesmenit Çekaj, të cilët në seancën për kundërshtimin e këtij vendimi, kërkuan të njihen me materialet e prokurorisë për të dënuarin.
Sipas akuzës Çekaj u dërgua në sistemin e izolimit 41 Bis pas tentativës së arratisjes nga qelitë e 313 ndërsa një tjetër detaj që u është bërë me dijeni avokatëve nga prokurorët ka qenë edhe një takim që ai ka bërë në ambientet e burgut me një tjetër të akuzuar të konsideruar si person i rrezikshëm, konkretisht me shtetasin Redjan Rrahja.
Në këto kushte GJKKO ka refuzuar kërkesën për ndryshimin e sistemit të sigurisë për të dënuarin Arbër Çekaj.
Ai u konsiderua nga SPAK si një person që paraqet rrezikshmëri, për pasojë do të vijojë që të qëndrojë i izoluar për të paktën 1 vit.
Çekaj u izolua në 23 nëntor të 2021 me kërkesë të SPAK e të miratuar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Aktualisht në regjimin e posaçëm 41-bis janë Arbjon Aliko, Genci Balla, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqje të cilët janë futur më herët si dhe Aleksandër Llanaj, Fatmir Pjetri, Redjan Rraja dhe Arbër Çekaj që janë futur ne këtë sistem më pas.
Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane. Në muajin gusht, ai tentoi arratisjen nga burgu 313 së bashku me Fatmir Pjetrin, por kjo tentativë rezultoi e dështuar pasi policia e zbuloi në kohë dhe neutralizoi dy të dënuarit.

