Berisha tregon përplasjen me Erodgan: Më kërkoi në mënyrë jodiplomatike të ndryshoja votën për Palestinën
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka treguar përplasjet që ka pasur me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan në kohën që në pushtet ishte PD.
Sipas Berishës, Erdogan i kishte kërkuar që të ndryshonte votën e tij në OKB për çështjen e Palestinës.
Berisha tha ndër të tjera se sot nuk mori pjesë në Kuvend sepse nuk donte të ishte i pranishëm, në momentin që fliste Erdogan.
“Mungova sot sepse gjykova që nuk duhet të isha i pranishëm në fjalën në Parlament të presidentit të Turqisë, Erdogan. Unë jam njeri që respektoj shumë Turqinë dhe kombin turk, por unë kam patur kontradikta të hapura me presidentin Erdogan në vitet e fundit të qeverisjes nga unë, ku nuk kam pranuar të ndjekë apo të votojnë në OKB rezoluta që binin në kundërshtim, në vlerësimin tim, me qëndrimet që mbanin SHBA dhe vendet e mëdha për çështjen e Palestinës. Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka një ambasadë të Palestinës prej vitesh, por asnjëherë nuk u vendos në diskutim prania e saj në Tiranë. Rezoluta me të cilin u ndava me Erdogan ishte një përpjekje për të përjashtuar rolin e SHBA në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme. Ishte përpjekje për ta salduar edhe më tej atë krizë.
Dy vite më pas, mu kërkua në mënyrë jodiplomatike që të ndryshoja votën, unë nuk e bëra. Atë e premtoi Edi Rama, dhe ai ndryshoi qëllimin e Shqipërisë. Më mori në telefon në një moment feste. Në një kohë kur diplomacia turke nuk kishte thënë asnjë fjalë dy vite më radhë.” është shprehur Berisha.
Ai tha se Erdogan ishte zemëruar që nuk hodhi të tillë, por ka shtuar se ua bëri të qartë se Shqipëria nuk mund të jetë një vend në sferën e influencës së Turqisë.
“Kisha marrë vesh nga ambasadori palestinaz që Erdogan ishte I zemëruar nga kjo. Ai insistoi që unë të ndryshoja qëllimin. Por, ajo që mund të bëja ishte të abstenoja, por nuk do të votoja kurrë për atë rezolutë. Unë bëra të qartë se Shqipëria nuk mund të jetë një vend në sferën e influencës së Turqisë.” u shpreh Berisha në emisionin “Quo Vadis”.
