"Do ta çoja në Strasburg 30 qershorin", Meta për zgjedhjet e pjesshme: Nëse partitë s'janë gati, të dalin kandidatë të pavarur
Presidenti Ilir Meta nuk e ka fshehur pritshmërinë që ka pasur nga Gjykata Kushtetuese për të shpallur antikushtetuese vendoret e 30 qershorit 2019.
"Unë do zbatoja vendimin e Gjykatës si President, por unë prisja që Gjykata Kushtetuese, t'i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit 2019 nisur dhe nga raporti OSBE/ODIHR, si dhe mospublikimi i dekretit të Presidentit, për datën e zgjedhjeve në Fletoren Zyrtare".
Por Presidenti thotë se ka qenë i përgatitur edhe për një tjetër skenar.
"Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ne vleresimin tim ishin antikushtetuese. Ne rast se Gjykata Kushtetuese do i shpallte kushtetuese une do e çoja vendimin ne Gjykaten e Strasburgut".
Por heqja dorë duke shpallur moskompetencën e ka zënë në befasi.
"Kurrë nuk e kam pritur nje mosvendim te Gjykates Kushtetuese siç edhe ndodhi.Unë kurrë nuk kam pritur si President, këtë vendim i cili është mosvendim nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet vendore në vend. Në zbatim të Kushtetutës , unë si President jam i detyruar të shpall një datë zgjedhjesh për bashkitë e mbetura pa kryetar".
Përkundër të gjithave, Meta thotë se është krenar që shmangu përplasjen.
"Jam krenar që në lidhje me zgjedhjet vendore kam shmangur një përplasje mes demokratëve dhe socialistëve në 8 qershor 2019".
E ndërsa tani është gjithçka e qartë, Meta thotë se ka nisur procedurat për të plotësuar vakanca në drejtimin e bashkive të vendit.
Vënia në lëvizje në këtë moment thotë se nuk ka lidhje me Bashën dhe as ndonjë parti tjetër.
"Unë si President, këtë vendim kam pritur, që zgjedhjet më pas të bëheshin në të gjithë vendin. Ndaj dhe une tani kam nisur nje procedure dhe jam i vendosur per te ecur perpara ne kete proces. Shpallja e datës së pjesshme të zgjedhjeve vendore, nuk ka lidhje me z.Basha dhe as me ndonjë parti tjetër. Nëse partitë nuk janë gati për të hyrë në zgjedhje, atëherë le të dalin kandidatë të pavarur dhe çdo qytetar që do të kandidojë".
Deklaratat presidenti Ilir Meta i bëri në “Syri TV”.
