"Kam pasur një ditë të bukur!" Meta as i keqardhur dhe as i fyer nga Erdogan: Ka qenë i ftuari i Qeverisë
Presidenti, Ilir Meta, ka komentuar vizitën e presidentit Erdogan në Shqipëri si dhe shmangien që ai i bëri protokollit, duke u larguar pa një takim me homologun e tij shqiptar.
"Kam patur nje dite shume te mire sot. Ne kalendarin tim 17 janari, 2 marsi dhe 28-29 nentori jane data shume te rendesishme. Nuk kam asnje koment per viziten e z.Erdogan sepse sic ju thashe jam shume i lumtur qe axhenda ime sot ka qene plotesisht e fokusuar tek perkujtimi i vepres se Heroit Kombetar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu".
Meta nuk ndjen keqardhje nga shmangia që i bëri Erdogan.
"Nuk kam arsye te kem ndonjë keqardhje qe nuk kam takuar z.Erdogan. Z.Erdogan ka qene i ftuar i Qeverise dhe është sjelle si i ftuar i Qeverise. Uroj të ketë kaluar sa më mirë në Shqipëri. Nëse do kërkonte një takim sot do bëja një sforcim për ta takuar sepse kam pasur një axhendv vërtet shume te ngarkuar, por nuk ka kërkuar takim. Z.Erdogan nuk ka qene i ftuar nga unë. Doja ta falënderoja me shume mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare qe i kane dhënë popullit shqiptar".
Meta nuk shmangu dhe ironinë.
"Nuk ndihem i fyer sepse nuk ka qenë i ftuar nga unë, ka qenë i ftuar i qeverisë. Ai ka disa funksione se është edhe kryetar qeverie edhe kryetar partie. Në rast se ju shikoni ndonjë qëndrim të njëanshëm timin në raport me Turqinë më thoni".
Deklaratat presidenti Ilir Meta i bëri në “Syri TV”.
Presidenti Meta e nisi ditën duke kujtuar 554 vjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shoqëruar dhe me pjesë nga një film dedikuar atij, ku ai shfaqej në beteja kundër turqve.
Ndërsa më vonë, kur në Laç zhvillohej ceremonia me praninë e presidentit Erdogan, pak kilometra më tutje në qytetin e Lezhës ai zhvilloi homazhe në memorialin e Skëndërbeut.
I pyetur nga Zëri Amerikës për koincidencën e vizitës së presidentit turk, në datën e vdekjes së Skënderbeut dhe nëse një koincidencë e tillë përbënte ose jo problem, zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga e cilësoi pyetjen “në rastin më të mirë -të pakujdesshme- dhe në rastin më të keq -provokuese-, sepse nuk ka asnjë lidhje mes Republikës së Turqisë dhe rrethimeve të Krujës apo mes qëndresës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut dhe Turqisë së sotme, e cila është anëtare e NATO-s, vend partner strategjik i Shqipërisë dhe mik i mirë në ditë të vështira, siç e tregoi edhe mbështetja e paçmuar për rimëkëmbjen pas tragjedisë së tërmetit. Prandaj problem në këtë rast nuk përbën vizita e Presidentit të Republikës së Turqisë, po lidhje të tilla krejt pa lidhje, të cilat padashje nxisin urrejtje mes popujve”, - u shpreh zoti Fuga.
