Editoriali i “DREJT” - A do të shkarkohet Ilir Meta nga detyra e presidentit të republikës?
Edhe pse është në gjashtë muajt e fundit të ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës, Ilir Metës do t’i duhet të përballet në Gjykatën Kushtetuese me vendimin e Kuvendit, i cili e ka shkarkuar atë pas një procesi që ka për nismëtar kryeministrin Edi Rama.
Në fakt, Edi Rama pati tentuar ta shkarkojë Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës edhe në vitin 2019, vetëm dy vjet pasi ai vetë dhe shumica socialiste e zgjodhën në detyrën e Kryetarit të Shtetit.
Atëkohë u gjend të përdorej si argument dekreti me të cilin presidenti anuloi datën e zgjedhjeve vendore të atij viti të caktuara për më 30 qershor, por, prej opinionit të Komisionit të Venecias më shumë se sa prej arsyetimit me mendje të kthjellët, përpjekja e Edi Ramës për ta shkarkuar Ilir Metën mbeti vetëm një tentativë.
Por, ndryshe prej herës së parë, në rastin e dytë, sado që argumenti duket më pak i justifikuar se në rastin e parë, Edi Rama dhe Kuvendi i tij i mbledhur pas zgjedhjeve të 25 prillit, prej të cilave mori legjitimitet një trupë tjetër përfaqësuese edhe pse pa e ndryshuar mazhorancën qeverisëse, ia doli të vendosë shkarkimin e Ilir Metës dhe t’ia kalojë kështu përgjegjësinë kushtetuese të vendimmarrjes Gjykatës Kushtetuese.
Se çfarë do të vendosë gjykata dhe se si do ta trajtojë precedentin e shkarkimit të një presidenti republike mbetet për t’u parë, por ajo që bën më shumë përshtypje është “armiqësia”, tashmë e shfaqur apo e konfirmuar edhe publikisht mes kryeministrit dhe presidentit.
Këtë herë akuzat nuk lidhen me ndonjë akt konkret të nxjerrë nga Presidenti, siç ishte në përpjekjen e parë për shkarkimin e tij.
Pretendimet për shkelje të rëndë të Kushtetutës u referohen deklaratave të ndryshme të bëra nga Presidenti para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, por se sa e se si konsiderohen deklaratat shkelje e rendë e kushtetutës, tashmë do të na duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ta mësojmë, edhe pse në fakt ajo vetë është ende vetëm një treçerek gjykatë, e paplotësuar prej shkarkimit të pothuaj të të gjithë anëtarëve të saj prej reformës në drejtësi.
E gjendur nën presion, me kampet politike që bëjnë llogari se sa vota prej anëtarëve mund të jenë pro ose kundër shkarkimit, Gjykata Kushtetuese po aq sa ka në dorë fatin e Ilir Metës si President i Republikës, ka në dorë edhe vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e saj.
Ç’qëndrim do të mbajë Gjykata Kushtetuese?
A do ta shkarkojë ajo Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës?…
