Bardhi 3 orë në prokurori për protestën e 8 janarit, dhunën e quan vetëmbrojtje, ndërsa dyert e blinduara, metalike
Ka zgjatur gati 3 orë dëshmia e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi në prokurori lidhur me protestën dhe përplasjet e 8 janarit në selinë PD.
“Nuk ka pasur sulm por akte vetëmbrojtjeje” tha Bardhi pasi doli nga prokuroria duke komentuar momentin kur nga brenda godinës së PD-së dolën disa persona dhe dhunuan me shkopinj mbështetës të Berishës
"Nuk ka pasur asnjë sulm nga asnjë person nga brenda selisë. Ka pasur akte vetëmbrojtje për të ndalur turmën dhe protestuesit e dhunshëm të futen në ambientet ku po zhvillohej mbledhje në katin e dytë të selisë PD dhe për këtë kam dhënë shpjegimet e mija" tha Bardhi duke shtuar se personat e kampit Basha që janë shoqëruar nga policia nuk ka asnjë me precedentë penalë.
"Kam rikonfirmuar se çdo person që ka qenë brenda selisë PD i është nënshtruar kontrollit dhe kqyrjes nga ana e prokurorisë. Asnjë send i ndaluar nuk është gjendur në ambientet brenda PD-së "
Bardhi nuk i quan dyer të blinduara ata që ishin në selinë PD por dyer metalike.
“Nuk janë dyer të blinduara por metalike. Kam konfirmuar se asnjë zyrë e punës as dritare nuk kanë pasur as derë dhe as xhama të blinduar. Por, po PD ka marrë masa për të shmangur konfliktin që po stiste Sali Berisha mes demokratëve dhe morëm masa për të ndaluar gjakderdhjen. Falë atyre masave Sali Berisha nuk arriti dot ta kthente në arenë gjakderdhjeje”
Në prokurori ndodhet kryetari Lulzim Basha për të dhënë dëshminë e tij.
Sa do të qëndrojnë dyert e blinduara?
"Sa të jetë e nevojshme për të shmangur konfliktin mes demokratëve dhe nuk pengojnë hyrje daljet e demokratëve" tha Gazmend Bardhi.
Kur e telefonoi policine
“Kam informuar dhe sot zyrtarisht prokurorinë e Tiranës se kam kontaktuar Policinë e Shtetit në numrin e kontaktit të vendosur prej tyre në orën 12:27 minuta. Ka pasur një komunikimi të vazhdueshëm dhe kam telefonuar 7 herë drejtuesit e policisë dhe kanë ardhur mbi 40 minuta vonesë. Kam dhënë dhe shpjegime dhe për lëndën që u hodh në seli dhe që e vetmja lëndë rrethanore kanë qenë fikset e zjarrit”, tha Bardhi.