Meta nis procedurat për zgjedhjet e pjesshme vendore: Kushtetuesja nuk dha zgjidhje. Asnjë konsultim me partitë
Presidenti, Ilir Meta, do të shpallë zgjedhje të parakohshme në gjashtë bashki të mbetura pa kryetar. Kjo do të jetë sprova e parë e Bashës pas përplasjes me 8 janar me Berishën. Ndërkaq Kreu i Shtetit ka dënuar dhunën, por ka shtuar se brenda selise blu kishte këmishëzinj dhe paramilitarë.
Në kulmin e tensioneve politike në Partinë Demokratike, presidenti Ilir Meta ka nisur procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve në ato bashki që janë pa kryetar.
Në konferencën e dhënë për mediat ai theksoi se i ka dërguar shkresë KQZ për verifikimin e posteve vakantë.
Meta: Sot kam filluar procedurat për ti dhënë zgjidhje kësaj situate, përmes një letre zyrtare dërguar komisionerit shtetëror të zgjedhjeve kam kërkuar informacion se kush janë saktësisht bashkitë në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019-janar 2022, kryetarëve të bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme, cili është shkaku ligjior. Mbetem në një pritje të një përgjigjeje sa më të shpejtë në mënyrë që si President të ec përpara për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate në interes të gjithë qytetarëve të bashkive pa kryetar.
Argumentin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shqyrtuar vlefshmërinë apo jo të zgjedhjeve vendore Meta e konsideroi të padrejtë.
Sipas tij gjykata shkeli rregullat dhe hoqi dorë. Megjithatë ai tha se ngërçin nuk mund t;ia lërë pasardhësit.
Meta: Më keni bërë pyetje se çfarë do të bëhet me zgjedhjet vendore, bashkitë ku janë dhënë dorëheqje apo janë pa kryetarë formalë për arsye të rasteve të ndryshme që keni konstatuar dhe u kam thënë që pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk u nxitova menjëherë kur Kushtetuesja dha vendimin e saj apo mosvendimin e saj sepse kam dashur të kem informacion sa më të plotë për gjithçka ka ndodhur. Lidhur me zgjedhjet për pushtetin vendor të 30 qershorit 2019 kur prisnim, që Kushtetuesja ti rikthente popullit shqiptar mundësinë të shprehje vullnetin e tij për të zgjidhur përfaqësuesit e tij realë në pushtetin vendor.
Përkundër kësaj pritshmërie të popullit tonë dhe shumë institucioneve ndërkombëtare do të duhet të kishte një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi. Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive. E la pa një zgjidhje përfundimtare, nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje me juridiksion kushtetues por ja la sërish çështjen juridiksionit politik. I kërkova Gjykatës Kushtetuese një kopje të gjithë dosjes gjyqësore. Mu vendos në dispozicion me 16 dhjetor ky informacion. Presidenti ka konstatuar se disa anëtarë të Kushtetuese kanë kryer disa shkelje të rënda proceduriale dhe etike që legjitimon fillimin e një procedimi disiplinor.
Shkelje të ligjit që lidhen me zgjedhjen e relatorit. Nuk është hedhur shorti për zgjedhjen e relatorit të çështjes. Pra relatori mund ta ketë zgjedhur vetë çështjen ose e ka marrë pa short. Nuk ka një dokument si u formuluan gjetjet për në Komisionin e Venecias apo se kush vendosi që pyetjet e shoqatës së bashkive ishin të panevojshme dhe nuk duhej t'i përcilleshin Komisionit të Venecias. Pra relatorja ka shmangur dërgimin e pyetjeve dhe ka paraqitur vetëm 3 pyetje të saj. Është e paqartë si ka ndodhur kjo dhe kjo cenon transparencën dhe barazisë së palëve në gjykim e procesin e drejtë gjyqësor dhe kërkon hetim të thelluar disiplinor.
Akt Patriotik
E quan akt patriotik vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe se për vendimin që do të marrë nuk do të konsultohet me asnjë parti.
‘Kam bërë një akt patriotic që kam anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe që kam shmangur një konfrontim të programuar qartë prej kohësh mes demokratëve, e opozitarëve me socialistët duke dhënë jo vetëm një mundësi për zgjidhje gjithëpërfshirëse që u minua nga lidershipet përkatëse por dhe për të gjetur rrugëdalje, për të mos u përplasur sikurse ndodhi. Ju e patë çfarë ndodhi mes demokratëvë më 8 janar, megjithëse nuk kishte vetëm demokratë atje.
Për çështjen aktuale presidenti nuk ka nevojë të konsultohet me askënd se nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme vendore”.
Meta i qëndron mendimit se do të jetë president deri në korrik.
Duke mos dashur të mbajë anë në përplasjen e PD, Meta dënon dhunën brenda dhe jashtë selisë, e për këtë e ilustron me foto.
Gjithësesi Meta reagoi ashpër për personat që qëndruan brenda PD.
Madje për protestën e 8 janarit Meta zbardhi një diskutim me Belind Këlliçin.
Si zgjidhje për krizën në PD-së, Meta ka vetëm një përgjigje.


